Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të martën se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Vendimi, sipas ZRRE-së, u mor më 9 korrik, pas shqyrtimit të dy kërkesave të ndara të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe bashkërisht nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).
Kërkesat kishin synuar pezullimin e zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë, që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori. Mbi 1 mijë e 300 biznese janë detyruar të dalin në treg të hapur, duke zgjedhur vetë furnizuesin. ZRRE-ja për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues ka angazhuar KEK-un si furnizues fundor për një periudhë gjashtëmujore.
Sipas ZRRE-së, në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar përfitimet e liberalizimit, përfshirë nxitjen e konkurrencës mes furnizuesve, presionin për çmime më të ulëta dhe shërbime më cilësore, mundësinë për oferta më të favorshme për konsumatorët dhe rritjen e efikasitetit në sektorin energjetik.
“Gjykata ka vlerësuar se paditësit nuk kanë dëshmuar plotësimin e të dy kritereve që i përjashtojnë nga obligimi për të dalë në treg të lirë – më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro – duke konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.
ZRRE-ja ka rikujtuar se sipas nenit 3 pika 1.72 dhe nenit 37 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, “ndërmarrjet me më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal dhe duhet të furnizohen përmes tregut të lirë”.
Në fund, ZRRE-ja i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në treg të hapur, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar furnizim me energji nga furnizuesit e tregut të lirë, duke shfrytëzuar përfitimet e konkurrencës.
“ZRRE ka theksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, me qëllim krijimin e një tregu të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, vijon njoftimi.