Zyrtarit të lartë të Qeverisë së Serbisë i refuzohet kërkesa për ta vizituar Kosovën

Qeveria e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e drejtorit të ashtuquajturës Zyre për Kosovën Petar Petkoviq.

Kjo u bë e ditur nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla.

“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”.

Haradinaj-Stublla, ka thënë se kjo u bë për shkak të sjelljes destruktive të Serbisë në raport me Kosovën.

Ajo i ka renditur edhe arsyet:

➖Duke vazhduar shkeljet e maltretimet me arrestime arbitrare e mbajtje ilegale të qytetarëve të Kosovës (i fundit javën e kaluar!);

➖Duke përdorur rrugë të paligjshme dhe klandestine për të futur ‘vaksina’ të dyshimta në Kosovë me qëllim rrezikimin e sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik;

➖Duke tentuar rikthimin e fushatës kundër shtetësisë së Kosovës – së fundmi duke i kërkuar Katarit që ‘të mos lobojë për Kosovën’ duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet e Washingtonit e të Brukselit;

➖Duke rritur provokimet, kërcënimet, sjelljet e ulëta, dhe lojërat e ndyra që po sjellin pasiguri dhe destabilizim në rajon e më gjerë!

Kryediplomatja ka porositur Serbinë të qëndrojë larg Kosovës.

“Andaj, le të qëndrojnë larg Kosovës!”.