Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të nxitjes së raportimit për sistemin financiar, shpall thirrjen për shkrimin dhe raportimin më të mirë të ekonomisë – sistemi financiar, të botuar në shtypin e shkruar ose online, si dhe në mediet radio e televizive.
Kjo thirrje synon të vlerësojë dhe të shpërblejë gazetarinë më të mirë në fushën e ekonomisë, me fokus të veçantë në sistemin financiar. Në një kohë kur transparenca dhe informimi i saktë mbi çështjet financiare janë thelbësore për qytetarët dhe bizneset, ky çmim do të njohë dhe promovojë gazetarët që ofrojnë analiza të thelluara, hulumtime cilësore dhe raportime të balancuara mbi sistemin financiar.
Çmimi do të jetë tradicional dhe do të ndahet çdo vit, përkatësisht më 15 nëntor – Ditën e themelimit të Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës.
Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin më të mirë, për vitin 2025 është i ndarë në:
• Shkrimi më i mirë i publikuar në gazetë (online dhe PDF) (1);
• Shkrimi më i mirë i publikuar në medie online/web portal (1);
• Raportimi më i mirë i transmetuar në televizion (1); dhe
• Raportimi më i mirë i transmetuar në radiostacion (1).
Shkrimet apo raportimet duhet të jenë të botuara, publikuara dhe të emetuara gjatë vitit aktual, përkatësisht nga 1 janari 2025 deri më 31 tetor 2025.
Artikujt duhet të trajtojnë tema që lidhen me sistemin financiar, si bankat, sigurimet, pensionet, gjithëpërfshirjen financiare dhe inovacionin financiar, etj.
Afati për dorëzimin e shkrimeve apo raportimeve: 31 tetor 2025.
Njoftimi i plotë
