Një 14-vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një goditje me thikë në Prizren.
Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 23:45, kur Policia e Kosovës është njoftuar për incidentin.
Në vendngjarje kanë dalë ekipet emergjente, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë të miturit dhe më pas e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 14-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar për Klan Kosova zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.
Ndërkohë, pak më larg vendit të ngjarjes, Policia ka identifikuar dhe arrestuar një 17-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një thikë, që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Për shkak të moshës së tyre, Policia ka bërë të ditur se as viktima dhe as i dyshuari nuk kanë pasur raste të mëhershme të regjistruara në evidencat policore.