181 të vdekur nga koronavirusi brenda një jave

Në shtatë ditët e para të muajit shtator 181 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Kjo paraqet një mesatare prej mbi 25 vdekjesh në ditë.

Dita më e rëndë ka qenë ajo e 2 shtatorit kur janë regjistruar 32 vdekje, ndërsa 4 shtatori regjistroi 21 vdekje si shifrën më të ulët këtë javë.

Në mesin e 181 personave ka pasur shumë të rinj që kanë vdekur, ndërsa shumica dërrmuese kanë qenë të pavaksinuar.

Shifrat e rasteve të reja kanë shënuar rënie. Shtatori ka nisur me 1894 raste ditore më 1 shtator ndërsa sot, 7 shtator, janë regjistruar 920 sosh. Të dielën pati 489 raste të reja.

Ndërkaq në këtë javë ka rënë edhe numri i rasteve aktive për 2920. Aktualisht janë 24 mijë e 484 raste aktive.

Nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të shkuar, kanë vdekur 2685 persona si pasojë e virusit. Janë regjistruar në total mbi 153 mijë e 500 raste, ndërsa janë shëruar mbi 126 mijë.