82 pacientë të testuar as një me koronavirus në Kosovë

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, njoftoi se sot në Infektivë janë paraqitur 10 raste të dyshuara me koronavirus.

E sipas tij, prej shkurtit deri më sot, gjithsej janë paraqitur 82 pacientë. Deri tash, nuk është i raportuar asnjë i infektuar me koronavirus.

“Ne kemi filluar të testojmë që nga shkurti. Deri më tani janë testuar 82 pacientë. Janë edhe disa të tjerë për të cilët priten analizat. Nuk ka rritje të intensitetit të pacientëve që duhet të testohen. Disa pacientë kanë dalë grip A ose grip B ose edhe ftohje të lehta”, tha Ramadani, raporton KOHA.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë ka mbajtur konferencë për media në të cilën ka thënë që Klinika Infektive ka njoftuar se në Kosovë, nuk është infektuar asnjë person me koronavirus.

Ministri Arben Vitia tha se është lajm i mirë që në Kosovë deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID 19, por megjithatë, ka ritheksuar disa rekomandime për qytetarët.

“Masat janë marrë, sot të gjitha institucioneve do t’u dërgohen informacione për mbrojtje në spitale e shtëpi shëndeti”, tha Vitia, raporton KOHA.

Vitia gjithashtu ka dhënë edhe disa rekomandime për qytetarët e Kosovës.