“Ju drejtohem për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, letra e plotë e Deharit drejtuar presidentes Vjosa Osmani

Kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së IX-të, Avni Dehari i ka shkruar letër presidentes Vjosa Osmani, pasi ditën e martë ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Dehari ka njoftuar presidenten Osmani për zhvillimet e ndodhura, ku ka shkruar se nuk u verifikuan mandatet e deputetëve, transmeton Telegrafi.

Telegrafi, ka siguruar letrën e plotë të shkruar nga Dehari.

“Lidhur me pikën e parë, për njoftimin tuaj, Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, u votua me shumicë të votave në Komision, mirëpo si asnjëherë më parë, ky Raport, nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi.

Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive.

Në këto rrethana, të një situate të paparcedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, ka shkruar Dehari.

Ditën e martë, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.

“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.

Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk kaloi. 52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 abstenuan.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.

Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës. /Telegrafi/