Rohde: Qytetarët e Kosovës meritojnë politikanë që vendosin vendin para interesave partiake

Më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike.

Kjo situatë ka nxitur edhe reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili përmes një postimi në rrjetin social Blue Sky ka shprehur shqetësimin e tij.

“Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave obstruktive. Qytetarët meritojnë politikanë që e vendosin Kosovën para politikës partiake. Prandaj e përsëris: Bashkëpunimi i sinqertë është urgjentisht i nevojshëm për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie stabile!”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Ai thekson se është koha që liderët politikë të lënë anash interesat partiake dhe të punojnë për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur procesi i krijimit të institucioneve paszgjedhore ka hyrë në një ngërç, ndërsa qytetarët presin me shqetësim zhvillimet e mëtejme politike në vend.

Ndryshe, seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë të zhvillohet sot ka dështuar sërish të mbahet.

Seanca e 17 prillit ishte vazhdim i seancës të së martës (15 prill), ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve.