Përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu, deklaroi sot se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se seanca konstituive e mbajtur më 15 prill nuk është zhvilluar në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës, raporton EO.
Sipas Fetahut, Kushtetuesja ka theksuar se rendi i ditës i një seance konstituive nuk mund të ndryshohet pas fillimit të saj dhe se nuk mund të vendoset votim i fshehtë pa bazë kushtetuese.
‘‘Gjykata në mënyrë të qartë ka vendosur dhe ka konstatuar se seanca konstituive e filluar me 15 prill nuk ka përfunduar, gjë që të gjithë e dimë dhe nuk është kontestuese. Por, ka thënë Gjykata, e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 66. Derisa ky është konstatimi i Gjykatës mbi mos zhvillimin e seancës konstituive në pajtim me kushtetutën dhe rregullat, pyetja që shtrohet është se pari: Nëse nuk zhvilluar në pajtim me Kushtetutën, pse nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën? Cilat kanë qenë shkeljet e evidentuara të cilat kanë rezultuar që procedura të mos jetë në pajtim me Kushtetutën? : Kush ka qenë akteri, ose aktorët që kanë bërë që kjo seancë të mos zhvillohet me Kushtetutën?. Në rastin konkretë ne e dimë që opozita nuk ka udhëhequr seancën konstituive. E Ka zhvilluar VV-ja, ka vendosur kështu kryesuesi i VV-së. Cilat ishin konstatimet kryesore të këtij aktgjykimi? Rendi i ditës së seancës konstituive nuk mund të ndryshohet pas fillimit të seancës. Nuk ka të drejtë askush të vendos për votim të fshehtë pa një bazë kushtetuese’’, ka thënë ai.