Danimarka merr sot presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, duke e vendosur sigurinë e kontinentit në krye të axhendës së saj – veçanërisht zbatimin e vendimit për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, të marrë në samitin e fundit të NATO-s.
“Është deklaruar qartë se siguria është një përparësi absolute,” tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen në një intervistë për gazetën Politiken, e publikuar të dielën. “Tani kemi një qëllim të ri për NATO-n, i cili është miratuar. Pas përcaktimit të objektivave të NATO-s, hapat konkretë varen nga politikat e BE-së”, shtoi ajo.
Në fund të qershorit, shtetet anëtare të NATO-s formalizuan angazhimin për të investuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në siguri dhe mbrojtje deri në vitin 2035, nga të cilat të paktën 3.5% do të shkojnë për shpenzime ushtarake. Spanja e cilësoi këtë objektiv si “të paarsyeshëm” dhe kërkoi fleksibilitet në zbatimin e tij.