Të rinjtë që nuk hanë mëngjes rregullisht janë më të prirë të përjetojnë simptoma depresive dhe impulse të pakontrolluara, sipas një studimi të ri të realizuar në Hong Kong. Studimi, i publikuar në Frontiers in Psychiatry, zbuloi gjithashtu një lidhje të lehtë edhe me ankthin, ka raportuar PsyPost.
Mëngjesi konsiderohet si vakti më i rëndësishëm i ditës pasi ndihmon në rikthimin e energjisë dhe furnizon trupin me lëndë ushqyese pas mosngrënies gjatë natës. Studime të mëparshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit përmirëson përqendrimin, kujtesën dhe performancën akademike te fëmijët. Gjithashtu, ndihmon në rregullimin e metabolizmit dhe menaxhimin e peshës trupore. Nga ana tjetër, anashkalimi i shujtës së mëngjesit lidhet me ushqyerje të dobët gjatë ditës dhe tendencë për të ngrënë më tepër në orët e mëvonshme.
Në këtë studim të fundit, autorja Stephanie Ming Yin Wong dhe kolegët e saj analizuan të dhëna nga Studimi Epidemiologjik i Shëndetit Mendor të Rinisë në Hong Kong (HK-YES), që përfshiu 3,154 të rinjë të moshës 15 deri në 24 vjeç, të mbledhura mes viteve 2019 dhe 2022. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin vajza (58 për qind) dhe mosha mesatare ishte 20 vjeç.
Çfarë treguan rezultatet?
-85 për qind e të rinjve hanin mëngjes çdo ditë ose herë pas here
-15 për qind e anashkalonin shujtën e mëngjesin rregullisht
-Ata që nuk hanin mëngjes kishin prirje pak më të lartë ndaj impulsivitetit, veçanërisht në vëmendje dhe vetëkontroll
-Këta të rinj raportuan simptoma pak më të rënda të depresionit dhe në masë të vogël edhe të ankthit.
-Kishin një ditë më shumë në muaj me produktivitet të ulët për shkak të shëndetit mendor dhe pak më shumë vështirësi në funksionimin social dhe profesional
“Anashkalimi i mëngjesit lidhet me rritje të simptomave depresive te të rinjtë, ku përqendrimi i dobët mund të jetë një mekanizëm i rëndësishëm në këtë lidhje. Inkurajimi i të rinjve për të ndërtuar zakone të rregullta të ngrënies së mëngjesit mund të jetë pjesë e ndërhyrjeve për parandalimin apo trajtimin e çrregullimeve mendore dhe duhet të theksohet në politikat publike shëndetësore”, theksohet në raportin e studimit.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se lidhjet e zbuluara ishin të vogla, por të dukshme për shkak të madhësisë së mostrës. Po ashtu, siç paralajmërojnë autorët, këto gjetje mund të mos vlejnë për kultura apo vende të tjera, pasi të gjithë pjesëmarrësit ishin banorë të Hong Kongut.