Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Famir Limaj dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të zhvillohet në pasditen e së shtunës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e re për konstituim të Kuvendit do të mbahet të shtunën në orën 11:00. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.