Koalicioni me Xhafer Tahirin, reagon Sylejman Meholli i VV-së

Sylejman Meholli, kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, ka reaguar pas koalicionit të arritur me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të kësaj komune, Xhafer Tahiri.

LDK është distancuar nga ky koalicion, duke thënë se përbën shkelje statutare dhe s’ka marrë pëlqimin e partisë.

Sidoqoftë, Meholli me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se do ta sjellin ndryshimin më 9 nëntor, sikurse kishin bërë në qeverisjen lokale të vitit 2017.

“Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti!  Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025”, ka deklaruar ai.

Pa miratimin e partisë, Xhafer Tahiri lidh koalicion me VV-në në Vushtrri

“Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri!Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri!”, ka shtuar Meholli.