I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për mandatar për kryeministër, ka thënë se e pranon këtë propozim me qëllim që të shmangen dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që të votohet buxheti i vitit 2026.
“Më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm. Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, ka thënë ai.
Konjufca po ashtu ka lavdëruar kryetarin e VV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Dua të të siguroj diçka, që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh edhe më fuqishëm se në vitin 2021. Padyshim që ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë”, ka thënë ai. “Problemi i nderuari kryetar Albin është që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur shumë frikë te kundërshtarët e tu politikë që u bashkuan vetëm me një qëllim – të ta pamundësojnë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e shkëputë apo e ndal lidhmërinë e popullit tanë me Lëvizjen Vetëvendosje”.
Konjufca ka thënë se tash është në duar të partive që të shmangin apo jo zgjedhjet e menjëhershme.
“Të gjithë jemi në llupën e popullit por mua më duket se shpata e gjykimit do të jetë më e mprehtë se më parë”, ka thënë ai.