Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri është caktuar të mbahet më 17 nëntor, ditë e hënë.
Megjithatë, disa reagime janë bërë rreth thirrjes së kësaj konvente, fillimisht Enver Hoxhaj, kërkoi shtyrjen e kësaj Konvente, duke pohuar se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër, transmeton Telegrafi.
Pas kësaj, reagoi sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë.
Në debat u përfshi edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se “Dy ditë, deklarime, përgëzime dhe urime nga drejtues qendror e lokal të PDK-së dhe qytetarë, kanë vënë në pah të kaluaren dhe zotimin për unitet, pas dorëheqjes së Krasniqi”.
“Qëndrime miqësore e me mirëkuptim, është e kuptueshme .Megjithatë, nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët nëpër degë, apo për dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale që është më e keqja që nga çlirimi”, theksoi ai.
Ai shkroi tutje se “Për hir të unitetit, nuk po thuhet se ku u gabua, pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë PDK, vendimmarrësit nuk duan të cekin ende se PDK ka fituar në shtatë komuna”.
“Vepra ime jetësore është e pandashme nga Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe atdhetarët tjerë, ky fakt nuk do të duhej të keqpërdorej”, deklaroi Lladrovci.
Mes tjerash, ai ka shkruar se pret që kandidati për kryetar të PDK-së ta ketë Platformën dhe deklaratën politike.
“Pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit. Megjithëse nuk jam në Kosovë, zhvillimet në Kuvendin e PDK-së të hënën do ti ndjek me interesim, duke pritur përgjigjen se cila është rruga e partisë së heronjve tanë të luftës dhe paqes. PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës”.
Ndryshe, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje para disa ditësh, ndërsa deri tani Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së.