Mungesa e marrëveshjes politike zbeh gjasat për votim të suksesshëm të Qeverisë

Deri në mbajtjen e seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë së re ka kohë më së largu edhe deri të mërkurën. Analisti politik, Adrian Zeqiri, nuk shpreh pritje se i mandatuari i dytë për kryeministër nga radhët e LVV-së, Glauk Konjufca, do të arrijë t’i sigurojë të paktën 61 votat e domosdoshme të deputetëve për ta formuar Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Mendim të njëjtë shpreh edhe analisti tjetër politik, Albinot Maloku, teksa këtë e bazon në mungesën e një sinjali nga LVV-ja se ka bashkëpunim me parti tjera që ia sigurojnë votat që i duhen.

Mungesa e një marrëveshjeje politike midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe subjekteve të tjera politike deri tash në opozitë i ka zbehur gjasat që seanca e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re të rezultojë e suksesshme, kanë vlerësuar njohës të çështjeve politike.

Teksa për zhvillimin e kësaj seance ka kohë më së largu deri të mërkurën, analisti politik, Adrian Zeqiri, nuk shpreh pritje se i mandatuari i dytë për kryeministër nga radhët e LVV-së, Glauk Konjufca, do të arrijë që t’i sigurojë të paktën 61 votat e domosdoshme të deputetëve për ta formuar Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Nuk pres që zotëri Konjufca ta sigurojë shumicën. Mendoj se do të ketë po aq vota sa ka pasur edhe zoti Kurti. Nuk besoj që do të ketë diçka të tillë edhe për arsyen se nuk ka pasur zhvillime të ndërtimit të një koalicioni qeverisës. Përderisa nuk ka koalicion qeverisës është paksa jologjike të pritet (që qeveria) të votohet, sepse është qeveria e njëjtë, plani qeverisës i njëjtë”, thekson ai.

Mendim të njëjtë me Zeqirin ka shprehur edhe analisti tjetër politik, Albinot Maloku. Ai thotë se në LVV nuk kanë dhënë sinjal se i kanë votat për zgjedhjen e përbërjes së re të Ekzekutivit.

“Nuk ka asnjë isharet që na lë të besojmë se mund të ketë votim të kësaj qeverie. Për arsye se nuk kemi të bëjmë një qeveri teknike. Është prapëseprapë një qeveri politike. Qeveria teknike ka një përbërje dhe kuptim tjetër”, është shprehur ai.

Nga partitë politike parlamentare, vetëm në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) kanë thënë se kanë pranuar kërkesa për takim nga Lëvizja Vetëvendosje, në funksion të votimit të Qeverisë. Por kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë javës se i ka refuzuar këto kërkesa, pasi që nuk ka marrë propozime konkrete për bashkëpunim apo për ndarje të përgjegjësive në qeverinë e re. Ai ka thënë se edhe po t’i merrte këto propozimet ai do t’i refuzonte, pasi që zgjidhjet e parakohshme i konsideron si të vetmen rrugëdalje nga ngërçi politik. Se zgjedhjet e reja janë zgjidhje e vetme kanë thënë edhe në dy partitë më të mëdha deri tash në opozitë – Partinë Demokratike (PDK) dhe Lidhjen Demokratike (LDK). Eksponentë të tyre kanë bërë të ditur se nuk janë kontaktuar dhe as nuk duan bashkëpunim me LVV-në. Qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe në Nismën Socialdemokrate.

Në rast të dështimit edhe të mandatarit të dytë të LVV-së për ta formuar Qeverinë e re, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, meqë në asnjërin subjekt tjetër politik nuk kanë shprehur gatishmëri për ta propozuar mandatarin e radhës për kryeministër. Qeveria e re që mund të dalë nga zgjedhjet e parakohshme është paralajmëruar se do të jetë jetëshkurtër, shkaku i mungesës së dakordimit politik për një kandidat konsensual për president. Presidentes, Vjosa Osmani, mandati pesëvjeçar i skadon në prill të vitit të ardhshëm. Pozita e presidentit është shndërruar në simbol përçarjeje, pasi që është përmendur si një prej arsyeve për mungesën e konsensusit për formimin e qeverisë.

Partitë politike, përveç zgjedhjeve të parakohshme që mund të mbahen deri në fund të dhjetorit, kanë paralajmëruar edhe një proces tjetër zgjedhor në prill të vitit të ardhshëm, në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.

Mazllum Baraliu, i cili është njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë se krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së presidentit e theksojnë nevojën për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas Kushtetutës, Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë dhe për këtë duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave në dy rundet e para. Në mundësinë e tretë dhe të fundit, një kandidati i duhet ta sigurojë shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Por Baraliu ka theksuar se kjo gjë duhet të ndryshojë dhe që presidenti të zgjidhet nga populli.

“Duhet të ndryshohet Kushtetuta, fillimisht, ta ndërrojë karakterin parlamentar të Republikës dhe ta bëjë zgjedhjen e presidentit nga populli. Që domethënë, do ta kishim një sistem gjysmë presidencial – gjysmë parlamentar. Sepse kështu siç është tash, vazhdimisht zgjedhja e presidentit na ka sjellë kriza”, ka thënë ai.

Baraliu ka shtuar se një president i zgjidhur nga populli do të ketë më shumë legjitimitet dhe se kësisoj do të shmangej mundësia për pazare të partive rreth kësaj pozite.

“Do të kishte legjitimitet më shumë, autoritet më tepër, ndikim më tepër në popull dhe në institucione. Dhe, e dyta, do t’i lehtësonte procedurat dhe do t’i pamundësonte partitë politike, të cilat janë të pandërgjegjshme.. që t’i bëjnë pengesa njëra-tjetrës në momentin kur vjen puna e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Baraliu.

Për ndryshime kushtetuese nevojitet miratim nga dy e treta e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe votat e dy të tretave të komuniteteve.

Por, analisti Zeqiri thotë se ndryshimet kushtetuese do të nxirrnin në pah edhe shumë çështje tjera. E që të shmanget kriza presidenciale, ai vlerëson se nevojitet pjekuri dhe kulturë politike raporon KTV.

“Ndoshta më mirë është që ne të krijojmë një kulturë politike që ta kuptojmë që presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, përbashkuese, sesa të jetë pjesë e pazareve politike. Tash, në rastin më të keq, nëse kjo nuk ndodh, gjithsesi se është e mundur të bëhen ndryshimet kushtetuese por ndryshimet kushtetuese e prekin atë bazën e shtetësisë së Kosovës, në kuptimin që Kosova bëhet një shtet gjysmë presidencial”, ka thënë ai.

Tentime për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit ka pasur edhe më herët. Nisma më serioze qe ajo e 2011-tës, kur tre liderë politikë të asaj kohe, Hashim Thaçi i PDK-së, Isa Mustafa i LDK-së e Behgjet Pacolli i Aleancës Kosova e Re (AKR), me ndërmjetësim të ambasadorit të atëhershëm amerikan, Christopher Dell, arritën marrëveshje për tejkalim të krizës institucionale, duke e propozuar Atifete Jahjagën për presidente, derisa të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për ta zgjedhur presidentin direkt me votë të popullit. Legjislatura e atëhershme votoi për formimin e një komisioni për t’i bërë ndryshimet kushtetuese. Më pas, kryetari i Kuvendit i dërgoi ato në Kushtetuese për vlerësim, por si përfundim, ndryshimet që morën dritën e gjelbër nga Gjykata nuk u miratuan asnjëherë nga Kuvendi.