Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se ndeshja e sotme mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet sipas planit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi njoftoi se përgatitjet kanë përfunduar dhe çdo detaj është vendosur në mënyrën më profesionale.
Sipas tij, ekipi organizativ ka qenë aktiv që nga orët e para të mëngjesit, duke siguruar që gjithçka të jetë gati për pritjen e tifozëve dhe zhvillimin e ndeshjes.
Përkundër se gjatë ditës së sotme ka rënë shi pa ndërprerë, fusha është e gatshme.
Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:
“Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme. Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend”.
“Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium”, ka shkruar Ademi.