Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur sot në Kuvendin e Kosovës, gjersa ka treguar arsyet pse duhet të themelohen Komisionet parlamentare dhe pse duhet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
Ai tha se këto komisione duhet të votohen si trupa të kuvendit, specifikisht katër të përhershmet.
Kurti ka ftuar po ashtu deputetët që të votojnë miratimin e projektligjeve, gjersa ka thënë se nëse nuk votohen ato dhe marrëveshjet ndërkombëtare atëherë mund të humbin miliona euro.
“… Çdo vonesë e mëtutjeshme e rrezikon përfitimin e fondeve… Një kredi me 0 për qind kamatë pret miratimin… do ta kishte lakmi secili shtet dhe as që do të duhej të diskutohej a duhet miratuar a jo”, tha ai, gjersa u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë tri marrëveshjet me Bankën Botërore dhe pikat tjera të rendit të ditës.
Sipas tij, kjo kredi pret ratifikimin në Kuvend për më shumë se një vit.
“… Nëse ka diçka për të cilën do të hyjmë në histori është pikërisht kjo që një kredi me 0 për qind kamatë pret ratifikimin që një vit ndërkohë që nuk do të duhej diskutim fare”, tha ai.
Ndryshe, PDK, LDK dhe AAK nuk po merr pjesë në seancën e nisur rreth orës 11:00.
Më poshtë mund t’i shikoni se cilat ishin pikat e rendit të ditës të kësaj seance.
- Formimi i komisioneve parlamentare,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
- Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
- Çështja e financimit të RTK-së.