Xhavit Haliti

Beteja për votën e mërgatës

Partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet e tyre jashtë vendit, me fokus të veçantë te diaspora, pak ditë para nisjes së fushatës zyrtare elektorale. Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre, të konsideruar gjithnjë e më strategjike në garën zgjedhore.

Takime mobilizuese dhe thirrje për pjesëmarrje aktive pati në vikendin e fundit në qendrat kryesore të diasporës shqiptare në Evropë, veçanërisht në Zvicër dhe Norvegji. Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 17 dhjetor.

Kurti në Zvicër: Diaspora si “forcë zhvillimi”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me mërgatën në Cyrih të Zvicrës, ku fokusi i fjalimit të tij ishte roli i diasporës në zhvillimin e Kosovës. Ai e portretizoi mërgatën si një faktor aktiv politik dhe ekonomik.

“Diaspora nuk është rezervë emocionale, ajo është forcë zhvillimi. Qeveria e Kosovës e sheh mërgatën si partner dhe kurrsesi si spektator. Pjesa dërmuese e asaj që bëni pa dyshim nuk njihet dhe nuk dihet sa duhet, ndaj ju jeni ata heronj të heshtur të paqes që lartësoni edhe shtetin e Kosovës, edhe kombin shqiptar mbarë”, ka thënë Kurti.

Takimi në Zvicër shihet si pjesë e përpjekjes së Vetëvendosjes për të ringjallur frymën e vitit 2021, kur vota e diasporës pati ndikim të dukshëm në rezultatin zgjedhor.

LDK-ja kërkon “rikthimin e shpresës” nga mërgata

Në të njëjtin shtet, por me një narrativë ndryshe politike, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar po ashtu takime me bashkatdhetarë. Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, është pritur nga simpatizantët e partisë në Zvicër, ku, sipas komunikatës zyrtare, u shënua një pjesëmarrje e gjerë nga kantone të ndryshme.

“Kryetari Abdixhiku falënderoi mërgatën për kontributin e vazhdueshëm ndër vite dhe theksoi se mbështetja e tyre është vendimtare në këtë moment kyç për të ardhmen e Kosovës. Ai bëri thirrje për angazhim, mobilizim dhe përkrahje të fuqishme nga mërgata jonë në Zvicër dhe gjithandej botës, duke nënvizuar se Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për unitet, shpresë dhe veprim konkret”, shkruan në komunikatën e LDK-së. 

PDK-ja konsolidon strukturat në Norvegji

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës të dielën, në Oslo, ka formuar zyrtarisht degën e saj në Norvegji, duke zgjedhur strukturat drejtuese. Kryetar i degës u zgjodh Arsim Avdija, i cili deklaroi se misioni i tij do të jetë ndërtimi i një Kosove të stabilitetit, zhvillimit dhe shpresës. Tubimi u përshëndet edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila u bëri thirrje simpatizantëve për mobilizim maksimal në mbështetje të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.

Por subjektet politike nuk do të mund të zhvillojnë tubime partiake në të gjitha shtetet e Evropës, ku Kosova ka diaspora të madhe.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë para disa ditësh ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike, duke rikujtuar se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin gjerman nuk lejohet më pak se tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në vendin e tyre.

Meqë zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, kjo do të thotë se nuk mund të ketë tubime në Gjermani, një nga vendet ku është e përqendruar më së shumti diaspora kosovare.

“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës javën e shkuar.