Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka reaguar lidhur me pasojat që, sipas tij, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë shkaktuar jo vetëm për vendin, por edhe për vetë kompanitë dhe konsorciumet evropiane.
Në një postim të publikuar, Gërxhaliu thekson se projekte të shumta të financuara nga donatorë të ndryshëm, përfshirë edhe BE-në, kanë qenë mundësi përfitimi jo vetëm për Kosovën, por edhe për kompani implementuese evropiane, të cilat kanë përfituar nga përgatitja e tenderëve, transferi i teknologjisë, konsulenca, projektimi, monitorimi dhe raportimi.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e fondeve të projekteve dhe donacioneve të BE-së është absorbuar nga shpenzime të tilla si biletat e aeroplanëve, pagat dhe mëditjet e larta, hotelet e shtrenjta, si dhe pagesat shtesë për rrezikshmëri, duke bërë që një pjesë e madhe e parave të kthehet dhe të mbetet brenda vetë Bashkimit Evropian.
Gërxhaliu vlerëson se tani që masat po hiqen, po bëhet e qartë se ato kanë pasur pasoja edhe për organizatat dhe kompanitë nga vetë BE-ja, të cilat ishin zbatuese të projekteve në Kosovë. Pezullimi ose ngadalësimi i projekteve, sipas tij, ka ndikuar në ndërprerjen e bashkëpunimeve, vonesa në implementim, rritje të kostove operative dhe humbje të mundësive për partnerët evropianë.
Ai shton se masat gjithëpërfshirëse të BE-së kanë prodhuar efekte negative të shumëanshme, duke dëmtuar jo vetëm zhvillimin socio-ekonomik lokal, por edhe efikasitetin, interesin dhe besueshmërinë e angazhimit evropian në Kosovë.
Në fund, Gërxhaliu thekson se për Republikën e Kosovës këto masa kanë lënë pasoja negative ekonomike, sociale, integruese, por edhe psikologjike dhe të imazhit ndërkombëtar, duke nënvizuar se fakti që Kosova ishte i vetmi shtet evropian, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, ndaj të cilit u aplikuan masa të tilla, ka qenë një goditje serioze, veçanërisht për investimet dhe investitorët e huaj që për disa vite e kanë anashkaluar vendin.