Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se pas reshjeve rekorde që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit, situata sa i përket reshjeve është stabilizuar.
Sipas parashikimit të IHMK-së, java do të nisë me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të përfshijnë tërë Kosovën dhe do të shkaktojnë rënie të theksuar të temperaturave. Temperaturat minimale në orët e mëngjesit pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë deri në 7 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, me intensitet të lehtë deri mesatar. Mëngjeset do të jenë shumë të ftohta me ngrica, ndërsa në disa zona parashihet edhe mjegull.
IHMK ka apeluar për kujdes të shtuar, veçanërisht për pjesëmarrësit në trafik, për shkak të kushteve të vështira në orët e hershme të ditës.
Sa i përket ditëve në vijim, të hënën parashihet mot kryesisht i vranët me intervale të shkurtra me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -11 deri në -8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga -5 deri në -1 gradë. Të martën do të mbajë mot kryesisht i vranët, me temperatura minimale nga -12 deri në -7 gradë dhe maksimale nga -2 deri në 2 gradë Celsius.
Të mërkurën pritet mot kryesisht i vranët me intervale me diell, ku temperaturat minimale do të sillen nga -5 deri në -2 gradë, ndërsa maksimalet nga 1 deri në 5 gradë Celsius. Të enjten do të mbajë mot i vranët me intervale me diell, me temperatura minimale nga -5 deri në -1 gradë dhe maksimale nga 3 deri në 7 gradë Celsius. Ndërsa të premten parashihet mot i vranët me intervale me diell, me temperatura minimale deri në -5 gradë dhe maksimale deri në 7 gradë Celsius.