Zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin do të nisë sonte në mesnatë, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve me targa të huaja në Kosovë në maksimum tre muaj, përveç rasteve me autorizim.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ligji do të nis së zbatuari sonte në orën 00:00 dhe jemi në pritje të urdhëresave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u shpreh Elshani.
Paralelisht do të nisë edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt, sipas të cilit personat që nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Këto masa pritet të prekin kryesisht pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët deri më tani kanë përdorur automjete me targa të Serbisë, me ose pa autorizime, si dhe pa dokumente të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Zbatimi i këtyre ligjeve ishte planifikuar të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e kishte shtyrë afatin deri më 15 janar 2026 për shkak të fushatës informuese.
Në fund të vitit 2022, Kosova ndaloi qarkullimin e automjeteve me targa të qyteteve të Serbisë, vendim që çoi në rritje të tensioneve dhe largimin e disa serbëve nga institucionet e Kosovës. Pas kësaj, një pjesë e tyre i regjistruan automjetet në Serbi dhe i përdorën në bazë të autorizimeve që Prishtina zyrtare nuk i njeh.