Xhavit Haliti

Gjykata Supreme e rrëzon ankesën e PDK-së,ndaj PZAP-it

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit për media, pas vendimit të PZAP-së për ta hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën ZP.Anr.69/2025, të datës 8 janar 2026, PDK kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme. Në këtë ankesë, subjekti politik kishte kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të urdhërohej të anulonte të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2026, ora 16:00, si dhe të përjashtonte nga numërimi fletëvotimet e pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të datave 2 dhe 5 janar 2026, me qëllim të rishikimit të rezultatit zgjedhor pa përfshirjen e tyre.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit të kontestuar, ka konstatuar se ankesa është e pathemeltë, duke pranuar në tërësi qëndrimin juridik të PZAP-së për hedhjen poshtë të ankesës si të pasafatshme.

“Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës është hedhur poshtë si e pasafatshme”, thuhet në njoftim.

Më tej, Gjykata Supreme ka theksuar se respektimi i afateve ligjore përbën garanci për palët ankuese dhe detyrim për institucionet përgjegjëse, duke nënvizuar se afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është thelbësore për përmbylljen e tij pa zvarritje dhe prolongime kohore.