Xhavit Haliti

Kë e prek pezullimi i vizave të emigrimit për në SHBA?

Presidenti amerikan Donald Trump në fillim të janarit ka publikuar një listë prej 120 shtetesh, imigrantët e të cilëve përfitonin ndihma sociale në SHBA. Në mes të muajit, Departamenti i Shtetit dje lajmëroi se do të pezullojë përpunimin e vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve. Kjo masë u pa si ndëshkim për imigrantët e vendeve që janë të prirë të përfitojnë nga ndihmat amerikane. Në të dyja këto lista është edhe Kosova.

46 përqind e imigrantëve kosovarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara janë përfitues të ndihmave sociale, sipas listës së publikuar nga Trump, të cilën e titulloi “Shkalla e Marrësve të Ndihmës Sociale për Imigrantët sipas Vendit të Origjinës”.

Lista e vendeve të origjinës së imigrantëve përfitues është e ngjashme me atë që Departamenti i Shtetit mori vendim për të pezulluar përpunimin e vizave imigruese.

Kosova u listua krahas katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përjashtuar Serbinë.

Departamenti i Shtetit, i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, tha se kishte udhëzuar zyrtarët konsullorë të ndalonin aplikimet për viza emigrantësh nga vendet e prekura në përputhje me një urdhër më të gjerë të lëshuar në nëntor që shtrëngoi rregullat rreth emigrantëve potencialë që mund të bëhen “barrë publike” në SHBA.

Ky vendim u mor si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të presidentit Trump për të shtrënguar standardet e hyrjes në SHBA për të huajt.

“Administrata Trump po i jep fund abuzimit të sistemit amerikan të imigracionit nga ata që do të përfitonin pasuri në kurriz të popullit amerikan,” thuhet në një deklaratë të Departamentit.

“Përpunimi i vizave të emigracionit nga këto 75 vende do të pezullohet, ndërkohë që Departamenti i Shtetit po rishikon procedurat e përpunimit të emigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të përfitonin nga ndihmat sociale dhe përfitimet publike”, tha Departamenti i Shtetit.

Pezullimi, i cili do të fillojë më 21 janar, nuk do të zbatohet për aplikantët që kërkojnë viza jo-imigruese, ose viza të përkohshme turistike ose biznesi, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të kërkuesve të vizave, sipas AP.

Gjithashtu, u raportua se një njoftim i veçantë i është dërguar të gjitha ambasadave dhe konsullatave amerikane ku thuhet se aplikantët për viza jo-imigruese duhet t’i nënshtrohen verifikimit për mundësinë e përfitimit të ndihmave publike në Shtetet e Bashkuara.

“Me zbulimin e mashtrimeve masive në përfitimet publike në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Administrata Trump është e fokusuar maksimalisht në eliminimin dhe parandalimin e mashtrimit në programet e përfitimeve publike”, thuhej në telegramin që i referohej në mënyrë specifike shumicës së aplikimeve për viza jo-emigruese dhe që u dërgua të hënën.

Tri vendet, imigrantët e të cilëve, ishin përfitues më të shumtë të këtyre ndihmave ishin: Bhutani, Jemeni dhe Somalia. Qe të tria këto vende ishin në listën e shteteve që iu pezulluan vizat imigruese.

Vendet e prekura nga pezullimi i njoftuar të mërkurën janë:

Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhani, Bahamas, Bangladeshi, Barbados, Bjellorusia, Belize, Bhutani, Bosnja, Brazili, Burma, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Kongo, Kuba, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fiji, Gambia, Gjeorgjia, Ghana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Irani, Iraku, Bregu i Fildishtë, Jamaica, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Kirgistani, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Maqedonia, Moldavia, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Shën Kristoferi dhe Nevis, Shën Lucia, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegali, Sierra Leone, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguai, Uzbekistani dhe Jemeni.