Xhavit Haliti

Dyshime për keqpërdorim të votave në Prizren, policia dhe prokuroria në aksion

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.

“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, ka thënë Mehmeti.

Edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti ka konfirmuar zhvillimin e këtij aksioni, por pa dhënë detaje.

“Mund ta konfirmoj se është duke u zhvilluar një aksion lidhur me dyshimet për manipulim me vota. Për momentin nuk mund të japim detaje tjera pasi rasti është në procedurë. Për zhvillime tjera, do të njoftoheni gjatë ditës”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj të enjten Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda”, thuhej në njoftim.