Xhavit Haliti

Vitamina D ndihmon në mbrojtjen nga gripi

Marrja e mjaftueshme e vitaminës D mund të ndihmojë realisht në mbrojtjen nga gripi dhe infeksionet e tjera të frymëmarrjes, sipas një studimi të ri shkencor.

Hulumtimi ka zbuluar se personat me mungesë të madhe të vitaminës D kanë 33 për qind më shumë gjasa të përfundojnë në spital për shkak të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, krahasuar me ata që kanë nivele të mjaftueshme të kësaj vitamine, ka raportuar The Telegraph.

Vitamina D është i vetmi suplement që Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS) e rekomandon për të gjithë gjatë muajve të dimrit, kur ekspozimi në diell është i kufizuar dhe trupi e prodhon më pak këtë vitaminë.

Dihet tashmë se vitamina D ndihmon në rregullimin e kalciumit dhe fosforit në trup, që janë të rëndësishëm për shëndetin e eshtrave dhe muskujve. Por ekspertët besojnë se ajo mund të ketë edhe veti antivirale.

Për ta testuar këtë ide, studiues nga Universitetet e Surrey, Oxford dhe Reading analizuan të dhënat e rreth 36 mijë të rriturve britanikë, për të parë lidhjen mes nivelit të vitaminës D në trup dhe shtrimit në spital për infeksione të frymëmarrjes.

Këto infeksione përfshinin sëmundje virale dhe bakteriale si gripi, pneumonia dhe bronkiti. Studime të mëparshme e kanë lidhur mungesën e vitaminës D edhe me rrezik më të lartë për forma të rënda të Covid-19.

Rezultatet e këtij studimi, më i madhi i realizuar deri më tani në këtë fushë, kanë treguar se personat me mungesë të madhe të vitaminës D, kishin 33 për qind më shumë gjasa të shtroheshin në spital për infeksione të frymëmarrjes, krahasuar me ata që kishin nivele optimale.

Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu se për çdo rritje të vogël të vitaminës D në gjak, rreziku për shtrim në spital nga infeksionet e frymëmarrjes ulej me 4 për qind.

Në total, 2,255 persona u shtruan në spital për infeksione të frymëmarrjes nga 27,872 individë të përfshirë në analizën përfundimtare.

Personat e moshës së mesme dhe ata më të moshuar janë veçanërisht të rrezikuar nga përfundimi në spital për shkak të infeksioneve si pneumonia.

NHS këshillon marrjen e një doze ditore prej 10 mikrogramësh vitaminë D gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur mungesa e diellit mund të çojë në deficit të kësaj vitamine.

Vitamina D gjendet gjithashtu në disa ushqime, si peshku i yndyrshëm, mishi i kuq, e verdha e vezës dhe drithërat e pasuruara me vitamina.

Autorja kryesore e studimit, Abi Bournot nga Universiteti i Surrey, ka thënë se marrja e të paktën 10 mikrogramëve vitaminë D në ditë është shumë e rëndësishme.

“Marrja e të paktën 10 mikrogramëve vitaminë D në ditë, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit kur drita e diellit është e kufizuar, është e rëndësishme për të parandaluar mungesën e vitaminës D. Mungesa konsiderohet kur niveli bie nën 25 nanomol/L në gjak”, ka thënë ajo.

Nanomoli (nmol/L) është njësi matëse që tregon sa vitaminë D ka në gjak. Kjo njësi tregon nivelin ose sasinë e vitaminës D në trup.

-Nën 15 nmol/L – mungesë e rëndë e vitaminës D
-Nën 25 nmol/L – mungesë e vitaminës D
-25-50 nmol/L – nivel i ulët / i pamjaftueshëm
-50-75 nmol/L- nivel i pranueshëm, por jo ideal
-Mbi 75 nmol/L – nivel i mirë dhe i shëndetshëm i vitaminës D

“Vitamina D është jetike për shëndetin tonë fizik. Ajo jo vetëm që mban eshtrat dhe muskujt të shëndetshëm, por besohet se vetitë e saj antibakteriale dhe antivirale ndihmojnë në uljen e rrezikut të infeksioneve të frymëmarrjes që mund të çojnë në shtrim në spital”, ka shtuar Bournot.

Ajo ka theksuar se ky studim sjell prova konkrete për këtë teori.

“Ky hulumtim ofron të dhëna të forta shkencore për ta mbështetur këtë ide. Pavarësisht rëndësisë së saj për shëndetin e përgjithshëm, shumë njerëz kanë mungesë të vitaminës D dhe nuk e arrijnë dozën e rekomanduar prej 10 mikrogramësh në ditë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, suplementet e vitaminës D, sidomos gjatë dimrit, janë një mënyrë efektive për të rritur nivelin e kësaj vitamine dhe për të ulur rrezikun e infeksioneve serioze të frymëmarrjes.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të moshuarit, të cilët kanë rrezik më të lartë për vdekje nga këto infeksione, si dhe për komunitetet etnike në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat janë më të rrezikuara nga mungesa e vitaminës D”, ka thënë ajo.

Studimi është publikuar në revistën shkencore American Journal of Clinical Nutrition.