Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim.
Që nga nisja e këtij procesi më 13 janar 2026 e deri më 26 janar, janë rinumëruar 1.729 vendvotime nga gjithsej 2.557, që përfaqëson 67.62 për qind të totalit, raporton Gazeta Stop.
Sipas dinamikës aktuale të punës, rinumërimi pritet të përfundojë brenda ditëve të para të shkurtit, për t’i hapur rrugë certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ.
Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47.04% të votave, PDK 22.70%, LDK 11.42%, ndërsa AAK 5.94%.
Zvarritja e procesit të rinumërimit po ndikon drejtpërdrejt edhe në afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas Kushtetutës, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 5 marsi, çka nënkupton se çdo vonesë shtesë në certifikimin e rezultateve rrezikon ngushtimin e kohës për formimin e Kuvendit dhe përmbylljen e këtij procesi kushtetues.