Xhavit Haliti

Dallaveret me vota – Prokuroria nis hetimin në Drenas

Prokuroria Themelore ka autorizuar mbledhjen e informatave dhe evidentimit të shkeljeve të mundshme në procesin e numërimit të votave në komunën e Drenasit.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhjet lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit.

“Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje. Po ashtu, prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi do të analizohen të gjitha rrethanat dhe shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve tjera për grumbullimin e informatave”, thuhet në njoftim.

Në Drenas ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, i cili ka gjetur dallim  në votat e disa kandidatëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.

Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.

Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.

Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.

23 persona në Prizren janë arrestuar për manipulim me vota, kanosje, marrje dhe dhënie ryshfeti. Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim për 23 të pandehurit.