Eksperti i ekonomisë, Florin Aliu, ka vënë në dyshim saktësinë e të dhënave zyrtare për pagën mesatare në Kosovë, duke theksuar se mënyra e llogaritjes nuk pasqyron realitetin ekonomik të shumicës së qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Aliu ka publikuar një ilustrim të shpërndarjes së pagave në Kosovë, të bazuar në pagën minimale, pagën mesatare dhe numrin e të punësuarve, duke sqaruar se të dhënat janë të simuluara, por afërsisht reale. Sipas tij, shpërndarja e pagave është e shtrembëruar në të djathtë, çka do të thotë se një numër i vogël i pagave shumë të larta ndikon dukshëm në rritjen artificiale të mesatares.
Aliu thekson se në raste të tilla, mediana është tregues shumë më i saktë sesa mesatarja. Bazuar në këtë metodë, paga reale mesatare në Kosovë është rreth 534 euro, dhe jo 639 euro, sa raportohet zyrtarisht.
Ai ngre gjithashtu dilema mbi burimin e të dhënave që përdoren për llogaritjen e pagës mesatare, duke pyetur nëse ato merren nga Administrata Tatimore apo nga Fondi i Pensioneve me kontribuues aktivë, si dhe nëse është marrë parasysh informaliteti i lartë në tregun e punës.
Sipas Aliut, mjafton që vetëm 0.01% e të punësuarve të kenë paga mbi 4,000 euro, për ta shtrembëruar ndjeshëm mesataren. Në këto raste, ai thekson se duhet të përdoret metoda e “trimmed mean”, duke përjashtuar vlerat ekstreme, shkruan Gazeta Stop.
“Nuk i kanë marrë parasysh këto elemente gjatë llogaritjes së pagës mesatare. Për këtë arsye, paga mesatare prej 639 eurosh është një tregues krejtësisht i pasaktë dhe nuk ndjek procedurat standarde statistikore,” ka shkruar Aliu.
Ai përfundon duke shprehur mosbesimin e tij ndaj statistikave zyrtare të prodhuara në Kosovë, duke theksuar se pikërisht pasaktësia e tyre është arsyeja pse nuk i përdor si bazë për hulumtime ekonomike.