Xhavit Haliti

Basha: Në pako do të votohet për pesë nënkryetarët e Kuvendit

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se me përfaqësuesit e partive politike në takim të martën është dakorduar që nesër në seancën konstituive të votohen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës në pako.

Basha ka thënë se ka konsensus mes partive për të gjitha pikat që konstituojnë Kuvendin. Paralajmëroi se institucionet do të themelohen shumë shpejt.

“Pas të gjitha diskutimeve, kishte konsensus të plotë dhe ishte propozim i të gjitha partive politike apo liderëve të partive të komuniteteve jo shumicë, joserbe. Propozim i tyre ishte i qartë, që të shkohet në votim në pako, pra në pako të votohet për pesë nënkryetarët. Ka pasur konsensus për raportin, kryetarin/en, ka pasur konsensus të votohet në pako për të pesë nënkryetarët. Pritet themelimi i institucioneve shumë shpejt, pastaj të vazhdohet edhe me votimin e qeverisë dhe pastaj sigurisht siç e dini na pret votimi i buxhetit, i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat e kanë një afat”, ka thënë Basha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të martën në mbrëmje.

Çështja e nënkryetarit serb ishte një pjesë e bllokadës institucionale që zgjati për gati 12 muaj vitin e kaluar. Lëvizja Vetëvendosje insistonte që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe. Përfundimisht, si nënkryetar u pati votuar Nenad Rashiqi me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.