Ministria e Ekonomisë ka sqaruar detaje lidhur me tërmetin që ka goditur sonte territorin e Kosovës, kryesisht zonën juglindore të vendit, përkatësisht rajonin Prizren–Shtërpcë.
Sipas të dhënave të Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, tërmeti ka ndodhur më 10 shkurt 2026, në orën 22:09 sipas kohës lokale, me magnitudë 4.8 ballë sipas shkallës Rihter dhe intensitet VI sipas shkallës së Merkalit.
Ministria bën të ditur se thellësia hipoqendrore e tërmetit ishte rreth 5 kilometra, ndërsa epiqendra është lokalizuar 23 kilometra në lindje të Prizrenit, në koordinatat gjeografike 42.144 dhe 20.985.
Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në disa pjesë të Kosovës, për shkak të forcës relativisht të lartë dhe thellësisë së cekët. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ngjarja konfirmon se zona e Prizrenit është pjesë e një zone sizmogjene aktive, fakt i mbështetur edhe nga studimet dhe llogaritjet e përfshira në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
Autoritetet kanë theksuar se situata po monitorohet nga institucionet përkatëse dhe deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar.