Ramush Haradinaj nuk do ta udhëheq më AAK-në

Ramush Haradinaj nuk do të jetë më kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së ai ka njoftuar se nuk do të kandidojë më për kryetar të kësaj partie. Ka thënë se janë tri arsye pse po largohet nga kjo pozitë.

“Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti. Është risi ose ndryshim sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. I kam treguar edhe disa arsye, ua shpjegoj edhe ju. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor. Po ashtu është edhe besim që kam në kuadrin e Aleancës”, ka thënë ai.

Kandidaturë për kryetar të kësaj partie ka shpallur Ardian Gjini.

Haradinaj po ashtu ka mohuar se do të jetë kandidat për president

“Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse në një rrethanë të caktuar deputetët, Parlamenti do të ma kërkonin do ta shqyrtoja, por nuk jam kandidat… ende nuk kemi një qëndrim se si do të veprojmë rreth çështjes së presidentit, do ta shqyrtojmë”, ka deklaruar ai.

Haradinaj e ka udhëhequr këtë parti nga themelimi i saj.