Pas dy orë takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se biseda ishte e gjatë dhe përfshiu disa tema me rëndësi, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Kurti ndër tjerash theksoi se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka emër të përveçëm, pra nuk ka anëtar të partisë që synon të bëhet president i Kosovës.
“Patëm një bisedë të gjatë, për shumë tema, me kryetarin e LDK-së. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, situatën e sigurisë, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.
“Diskutuam edhe për progresin që kemi arritur, por diskutuam edhe për sfidat që na presin. E uruam njëri-tjetrin në detyrat dhe funksionet që kemi dhe u zotuam për komunikim. E falënderova edhe për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.
“Tash e kemi edhe një sfidë; në njërën anë ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një emër të përveçëm, pra LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president”, deklaroi Kurti.