Një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet sot.
Aty do të diskutohet edhe për çështjen e Presidentit, siç paralajmëroi kryetari i kësaj partie, kryeministri Albin Kurti, pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Kurti tha se mbledhja nuk është thirrur “enkas” për Presidentin, por tha se do të diskutohet kjo.
“Ne do ta kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër. Natyrisht që mbledhjen e së dielës nuk e kemi thirrur enkas për çështjen e Presidentit të Republikës. E kemi thirrur para se gjithash, për shkak se është obligim statutor i yni kronologjik që t’i kemi katër mbledhje në vit, pra çdo tre muaj, dhe sidomos për shkak se sivjet, 2026-a është vit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.
Kurti paralajmëroi se LVV do ta propozojë një kandidat për president.