Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit B.K., i njohur si “Gjesti”, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, vendimi është marrë nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e kësaj mase.
I pandehuri B.K. dyshohet për kryerjen e tri veprave penale: kanosje, asgjësim apo dëmtim të pasurisë, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar. Për këtë arsye, gjykata ka aprovuar kërkesën për paraburgim, duke i caktuar të dyshuarit masën në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas arsyetimit të gjykatës, masa e paraburgimit është konsideruar e nevojshme për shkak të rrezikut të mundshëm të ikjes së të pandehurit, ndikimit në dëshmitarë si dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.
“Gjykata vlerësoi se paraburgimi është masa adekuate në këtë fazë të procedurës, me qëllim të zhvillimit të papenguar të procesit penal”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykata e Apelit e Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.