Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për rastin Banjska, gjatë fjalës përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 15 prill.

“Dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm”, tha prokurori special, Naim Abazi.

Teksa gjykimi po shkon drejt fundit, sipas prokurorit Abazi çdo vendim tjetër, përpos burgimit të përjetshëm, nuk do të ishte në përputhje me gravitetin e veprës.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Ata janë vetëm tre persona nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

“Këto veprime, të 24 shtatorit 2023, përbejnë akte të mirëfillta terroriste duke shkaktuar vrasje dhe lëndime të zyrtarëve policorë, përdorim të eksplozivëve dhe armëve të rënda si dhe rrezikim serioz të njerëzve me synim destabilizimin dhe cenimin e strukturave themelore pulitke, kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës”, tha ai.

Prokurori special në fjalën e tij tha se synimi i grupit të serbëve të armatosur, që sipas Abazit u stërvitën paraprakisht në Rashkë të Serbisë, ishte që veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe të shkëputej nga Kosova dhe të bashkohej me Serbinë.

Gjatë seancës, edhe avokati i familjes të rreshterit të ndjerë, Bunjaku, kërkoi burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se qëndron prapa sulmit.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Në shtator të vitit 2024 – një vit pas sulmit – Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për ngjarjet në Banjskë. At aktakuza, veç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. /Rel/