Sot në 12:00, protestë gjithëpopullore në Prishtinë kundër dënimit në Hagë

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë thirrur protestë gjithëpopullore të premten në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se organizatat kundërshtojnë vendimin dhe se do të ndërmarrin hapa gjatë procesit të apelit.

Sipas Sylës, do të kërkohet krijimi i një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen institucionet, partitë parlamentare, shoqëria civile, shqiptarët nga rajoni dhe diaspora.

Organizatat kanë paralajmëruar gjithashtu hartimin e një strategjie për kundërshtimin e vendimit gjatë procedurave të apelit.

Aktgjykimi i 16 shtatorit dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet, për krime lufte.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.