BQK për herë të parë përfshin arin në rezerva

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka shënuar një hap historik në menaxhimin e aseteve shtetërore, duke përfshirë për herë të parë arin në portofolin e rezervave të saj.

Ky zhvillim konsiderohet një arritje e rëndësishme institucionale, që sipas BQK-së reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare të bankave qendrore. Përfshirja e arit synon të forcojë diversifikimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të rezervave shtetërore.

Gjatë viteve të fundit, BQK ka ndërmarrë reforma të thella në menaxhimin e aseteve dhe rrezikut, të mbështetura nga bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Thesari i SHBA-së.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur pjesëmarrja në programin Reserve Advisory and Management Partnership të Bankës Botërore, i cili ka ndihmuar në avancimin e kapaciteteve për menaxhimin e investimeve dhe rrezikut.

Paralelisht, BQK ka zgjeruar bashkëpunimin me banka ndërkombëtare dhe institucione të Eurosistemit, si dhe ka rritur angazhimin me ofrues globalë të infrastrukturës financiare si Clearstream, duke përmirësuar menaxhimin e likuiditetit dhe kujdestarinë e aseteve.

Sipas BQK-së, përfshirja e arit përbën një hap strategjik në një proces afatgjatë të alokimit të aseteve, duke kontribuar në zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Ari tradicionalisht konsiderohet një instrument i sigurt për ruajtjen e vlerës dhe diversifikimin e rezervave, ndërsa për Kosovën ky hap synon të mbështesë stabilitetin financiar dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në të ardhmen.