MPB paralajmëron qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoba trafiku

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët se ditëve të fundit janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese (SMS), të cilat paraqiten kinse janë dërguar nga ky institucion lidhur me shkelje të rregullave të trafikut rrugor, shkruan Gazeta Stop.

Sipas njoftimit, në këto mesazhe përfshihen edhe vegëza (links) për klikim, të cilat konsiderohen të rrezikshme dhe synojnë keqpërdorimin e të dhënave personale apo financiare të qytetarëve.

MPB ka bërë të ditur se këto mesazhe janë të rreme dhe përbëjnë tentativë mashtrimi kibernetik, i njohur si “phishing”.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që:

  • të mos klikojnë në vegëzat e dërguara,
  • të mos japin të dhëna personale apo bankare,
  • dhe t’i injorojnë mesazhet e dyshimta që pretendojnë se vijnë nga institucionet shtetërore.

Në reagimin zyrtar, MPB ka sqaruar se kompetencat për shqiptimin e gjobave në trafik i takojnë Policia e Kosovës dhe jo Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Po ashtu, është theksuar se as MPB dhe as Policia e Kosovës nuk dërgojnë SMS për kundërvajtje në trafik dhe nuk kërkojnë pagesa përmes linkeve të dërguara në telefon.

“Mesazhet e tilla janë mashtruese dhe kanë për qëllim vjedhjen e të dhënave personale apo financiare të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

MPB ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në informimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga format e ndryshme të mashtrimeve kibernetike, duke apeluar për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të telefonave dhe internetit.