Qytetarë të shumtë në Kosova kanë raportuar ditëve të fundit pranimin e SMS-ve mashtruese, në të cilat pretendohet se janë kapur nga “kamerat inteligjente” duke vozitur mbi shpejtësinë e lejuar, ahkruan Gazeta Stop.
Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të klikojnë në linke të dyshimta për të parë ose paguar gjobën e pretenduar, gjë që dyshohet se bëhet me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale apo bankare.
Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos hapin linke të panjohura që vijnë përmes SMS-ve apo aplikacioneve të tjera.
Sipas paralajmërimeve, Policia e Kosovës dhe institucionet zyrtare nuk dërgojnë gjoba përmes linkeve të dyshimta apo mesazheve jozyrtare.
Qytetarët këshillohen që:
- të mos klikojnë në linket e dërguara
- të mos japin të dhëna personale apo bankare
- të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare
- të raportojnë rastet tek autoritetet përkatëse
Ekspertët paralajmërojnë se mashtrime të tilla janë duke u përhapur në rajon dhe synojnë të krijojnë panik apo presion tek qytetarët për t’i shtyrë ata të klikojnë në faqe të rreme.



