Deputeti i VV-së: Po u japim kohë bisedimeve, prandaj ende nuk është thirrur seanca konstituive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se seanca konstituive e Kuvendit ende nuk është thirrur, pasi po u lihet hapësirë partive politike për të zhvilluar bisedime në funksion të formimit të institucioneve të reja.

Në një deklaratë për media, Rrustemi tha se aktualisht prioritet mbetet dialogu politik dhe arritja e një marrëveshjeje.

“Po u japim kohë bisedimeve, prandaj nuk po thirret seanca konstituive. Kjo është në funksion të krijimit të kushteve për një marrëveshje politike”, ka deklaruar ai për “Ekonomia Online”.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë angazhimin për të zhvilluar bisedime me subjektet parlamentare, me synimin për të siguruar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe komunikimin me partitë politike për të gjetur një zgjidhje që mundëson konstituimin e Kuvendit dhe ecjen përpara të proceseve institucionale”, është shprehur Rrustemi.

Ai shtoi se vonesa në thirrjen e seancës nuk duhet të shihet si bllokadë, por si një mundësi shtesë për arritjen e një dakordimi politik mes partive parlamentare.

Seanca konstituive e Kuvendit ka kohë të thirret deri më 7 gusht.