PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në ora 11:00

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet të mërkurën në orën 11:00, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij ka dorëzuar kërkesë zyrtare që Dehari të ushtrojë përgjegjësinë e tij dhe të thërrasë vazhdimin e seancës.

Sipas Tahirit, PDK-ja ka ftuar edhe subjektet e tjera politike që janë të përfaqësuara në Kuvend që të jenë të pranishme në seancë.

Ai tha se funksionalizimi i Kuvendit është i domosdoshëm për rikthimin e normalitetit institucional dhe për funksionimin e shtetit.

Edhe Aleanca ka bërë kërkesë për vazhdimin e seancës. Deputeti Besnik Tahiri e ka cilësuar situatën aktuale si “emergjencë kombëtare”, duke shprehur shqetësimin se, sipas tij, po rrezikohet funksionimi i institucioneve dhe rendi kushtetues.

Tahiri tha se opozita ka kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, në mënyrë që Kuvendi të mblidhet pas përfundimit të afatit prej 48 orësh, siç pretendohet se përcaktohet nga Rregullorja e Kuvendit.

Ai bëri të ditur se deri tani nuk kanë marrë përgjigje lidhur me kërkesën e tyre.

Deputeti i Aleancës paralajmëroi se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa nuk përjashtoi veprime politike nëse, sipas tij, vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve.

“Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugët fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë”, tha Tahiri.

PDK dhe Aleanca i kanë bërë thirrje edhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe subjekteve të tjera politike që të marrin pjesë në seancë, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për bllokadën institucionale.

Kriza për konstituimin e Kuvendit vazhdon prej disa javësh, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për mënyrën e tejkalimit të ngërçit. Për opozitën, vazhdimi i seancës dhe funksionalizimi i Kuvendit mbeten hapat e parë drejt rikthimit të institucioneve në funksion të plotë.