Ndahet nga jeta afaristi dhe ish-pjesëtari i UÇK-së nga Vushtrria, Rexhep Rrustemi

Është ndarë nga jeta afaristi dhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Rrustemi nga Vushtrria.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i cili përmes një postimi ka shprehur dhimbjen për humbjen e kushëririt të tij.

Shahini e ka përshkruar Rrustemin si një njeri të dashur dhe të respektuar, duke kujtuar edhe kontributin e tij gjatë luftës në Kosovë si pjesëtar i UÇK-së.

“Rexhepi ishte afarist dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëri nga ata burra që në ditët më të vështira të vendit nuk u kursyen për lirinë dhe dinjitetin e Kosovës”, ka shkruar Shahini.

Ai ka thënë se Rrustemi për të nuk ishte vetëm kushëri, por edhe mik dhe jarani i afërt, ndërsa ka kujtuar kohën e kaluar së bashku.

“Lamtumirë, Rexhep! Pusho i qetë në tokën për të cilën luftove. Nderim për jetën dhe veprën tënde. U prehsh në paqe dhe në mëshirën e Allahut”, ka shkruar Shahini.

Në fund, kryetari i AKB-së u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Rexhep Rrustemit.

“Do të na mungosh gjithmonë, kushëriri im”, ka përfunduar Shahini.