Nis ndërtimi i Parkut Industrial në Podujevë, investimi mbi 3 milionë euro

Ka nisur ndërtimi i Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Podujevës, projekt që kap vlerën e mbi 3 milionë eurove dhe pritet të përfundojë brenda 350 ditësh pune.

Gurthemeli i parkut është vendosur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Parku do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh dhe synon të krijojë një hapësirë moderne për zhvillimin e bizneseve, rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në ceremoninë e nisjes së projektit, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se investimi në infrastrukturën industriale është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset.

“Ky park industrial është një investim në zhvillimin ekonomik të Podujevës dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset. Ne duam që prodhimi vendor të rritet, eksportet të zgjerohen dhe bizneset tona të kenë hapësira moderne ku mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, tha Kurti.

Ai theksoi se zhvillimi i parqeve industriale është pjesë e një vizioni më të gjerë për krijimin e një infrastrukture moderne për bizneset në të gjithë Kosovën.

Ndërkaq, ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se Parku Industrial në Podujevë është pjesë e planit për zhvillimin e një rrjeti të ri të parqeve industriale në vend.

“Me Parkun Industrial në Podujevë po krijojmë një hapësirë të re për bizneset, investimet dhe punësimin. Ky projekt nuk është vetëm ndërtim i infrastrukturës, por krijim i një mundësie të re për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, parku do të zhvillohet në përputhje me standardet e parqeve industriale të gjelbra, duke përfshirë parimet e ekonomisë qarkore dhe të tranzicionit të gjelbër.

Parku pritet të ndërtohet brenda 350 ditësh pune, ndërsa institucionet kanë bërë të ditur se tashmë ka interesim të bizneseve për investime dhe zgjerim të aktiviteteve në këtë hapësirë.

Në pesë vitet e ardhshme, MINTI synon zhvillimin e 16 parqeve industriale në të gjithë Kosovën, me investime që pritet të tejkalojnë 50 milionë euro.

Në këto projekte synohet edhe zbatimi i konceptit të simbiozës industriale, ku bizneset mund të ndajnë infrastrukturën, energjinë dhe sistemet e trajtimit të mbetjeve, si dhe të përdorin nënproduktet e njëri-tjetrit.

Institucionet vlerësojnë se një qasje e tillë mund të ulë kostot e operimit dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve vendore në tregjet rajonale dhe evropiane.

Parku Industrial i Podujevës shihet si një nga projektet që synon të nxisë investimet private, prodhimin vendor, eksportet dhe hapjen e vendeve të reja të punës në rajonin e Llapit.