Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, sipas moshës, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në kërkesën e saj, PDK ka kërkuar që seanca të vazhdojë nesër, më 18 gusht, në orën 11:00.
PDK i ka rikujtuar Deharit se pozita e tij si kryesues i seancës konstituive ka për qëllim mundësimin e zhvillimit të seancës dhe konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se roli i tij është procedural dhe i përkohshëm shkruan Gazeta Stop.
Sipas PDK-së, kryesuesi nuk duhet të vendosë në aspektin politik se kur do të vazhdojë seanca, ndërsa kompetencat e tij, sipas partisë, janë të përcaktuara nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka bërë të ditur se deputetët e saj do të jenë në sallën e Kuvendit nesër në orën 11:00.