Ekipi nga Kosova fiton çmim në TEKNOFEST 2026 në Turqi

Një ekip nga Kosova ka fituar Çmimin Special të Jurisë për Prezantimin më të Mirë në TEKNOFEST 2026, në kategorinë “Teknologjitë në Shërbim të Njerëzimit”.

Ekipi “Engineering HER Future” përfaqësoi Kosovën në festivalin ndërkombëtar të teknologjisë, të mbajtur në Diyarbakır të Turqisë, shkruan Gazeta Stop.

Sipas ekipit, kjo është hera e dytë radhazi që arrin në finalen e TEKNOFEST-it dhe merr një çmim.

“Engineering HER Future” e cilësoi këtë rezultat si dëshmi të potencialit dhe përkushtimit të të rinjve nga Kosova në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Gjatë pjesëmarrjes në festival, anëtarët e ekipit u takuan edhe me Selçuk Bayraktar dhe drejtues të Fondacionit T3.

“Dy vite, dy finale, dy çmime. Një ëndërr që vazhdon”, thuhet në përshkrimin e ekipit pas përfundimit të garës.