Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë më 28 shtator një deklaratë të përbashkët lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata, ndër të tjera, e kundërshton aktgjykimin, ngre shqetësime për procesin gjyqësor dhe thekson se lufta e UÇK-së nuk mund të shkëputet nga represioni, dëbimet dhe krimet e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Por pjesa më interesante dhe me e rëndësishme e dokumentit është pika 7, ku Kuvendi zotohet të ndërmarrë veprime, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“ZOTOHET të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë themeluar këto institucione”, thuhet në pikën 7 të deklaratës.
Ndërkohë, vetë Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se, pas diskutimeve të të gjitha grupeve parlamentare, është dakorduar që të hartohet një deklaratë e përbashkët për t’iu propozuar seancës plenare, ndërsa nisma ligjore për ndryshimin e Ligjit për Specialen është proceduar veçmas për mendim në Qeveri.
Pra, mbetet të shihet nëse Vetëvendosje e ka seriozisht, apo vetëm “fjalë të thata”, që të “shpërlahet” me një deklaratë politike në Kuvend, por duke mos e votuar nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

