AKB dhe bizneset shqiptare bashkojnë forcat në Bujanoc: Investimet dhe punësimi synojnë zhvillimin e Luginës së Preshevës

Investimet, hapja e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimi ekonomik janë vendosur në fokus të Edicionit të 4-të të Konferencës “Ekonomia SHPËTON LUGINËN e Preshevës”, e organizuar nga Unioni i Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në kuadër të kësaj konference, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, vizitoi Komunën e Bujanocit së bashku me një delegacion të përbërë nga përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Në delegacion morën pjesë përfaqësues të AKB-së, Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Rrjetit Global të Bizneseve, si dhe biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të Bashkimit Evropian.

Gjatë vizitës u diskutua për mundësitë konkrete të investimeve në Bujanoc dhe Luginën e Preshevës, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e ndërmarrjeve dhe krijimin e lidhjeve më të fuqishme me tregjet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të rajonit.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, u bëri thirrje bizneseve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora që ta shohin Bujanocin si një hapësirë të përbashkët për investime dhe zhvillim ekonomik.

“Bujanoci është shtëpia juaj. Secili prej jush që vjen këtu për të investuar, për të hapur një biznes apo për të krijuar vende pune, duhet ta ndiejë veten në shtëpinë e vet. Ne i mirëpresim investimet dhe partneritetin tuaj, sepse vetëm përmes zhvillimit ekonomik dhe vendeve të reja të punës mund ta ndalim migrimin e madh dhe t’u krijojmë të rinjve perspektivë për të jetuar dhe punuar këtu”, tha Pajaziti.

Ndërkaq, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se zhvillimi i Luginës së Preshevës kërkon hapa konkretë dhe jo vetëm deklarata.

“Ekonomia është ura që lidh njerëzit, bizneset dhe tregjet. Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë aktive e zhvillimit ekonomik rajonal. Kur biznesi bashkohet, krijohen mundësi, vende pune dhe perspektivë për të rinjtë”, u shpreh Shahini.

Sipas AKB-së, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial për të ndërtuar një hapësirë më të fuqishme ekonomike përmes investimeve të përbashkëta, tregtisë, prodhimit dhe projekteve ndërkufitare.

Konferenca synon të vendosë zhvillimin ekonomik në qendër të diskutimit për të ardhmen e Luginës së Preshevës, duke vënë theksin te roli i sektorit privat në krijimin e vendeve të punës dhe mundësive për të rinjtë.

AKB ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë pjesë e nismave që synojnë bashkimin e bizneseve shqiptare dhe rajonale, promovimin e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.