Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, në konferencën e sotme për media kërkuan heqjen e kufizimit të orarit të deponisë së Mirashit, duke theksuar se mbyllja e saj gjatë natës po pengon grumbullimin dhe largimin e mbeturinave nga Kryeqyteti.
Nënkryetarja Musmurati sqaroi se mbyllja e deponisë nga ora 00:00 deri në orën 07:00 pamundëson shkarkimin e mbeturinave nga kamionët e kompanisë “Pastrimi”, duke penguar drejtpërdrejt funksionimin e ndërrimit të natës.
“Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë për mbylljen e qëllimshme të deponisë dhe për përgjegjësinë që ka për pasojat që po sjell kjo mbyllje”, deklaroi Musmurati.
Ajo theksoi gjithashtu se projekti prej 74 milionë eurosh me Bankën Zhvillimore Gjermane KfW, i cili do të mundësonte sigurimin e 100 kamionëve shtesë, 10 mijë kontejnerëve dhe një qendre riciklimi, është bllokuar nga ministri Hekuran Murati. Musmurati i cilësoi këto veprime si pengesa të qëllimshme nga niveli qendror ndaj përpjekjeve për përmirësimin e pastrimit në Kryeqytet.
Drejtori Retkoceri kërkoi që deponia e Mirashit të hapet që sonte në mesnatë dhe paralajmëroi veprime të tjera institucionale nëse kufizimi vazhdon.
“Sonte, në ora 12:00 kërkoj të hapen dyert në deponinë në Mirash, për t’u larguar mbeturinat nga Kryeqyteti. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, deklaroi Retkoceri.
Ai bëri të ditur se Kryeqyteti ka dërguar kërkesë zyrtare për sqarimin e kufizimit të orarit, por deri më tani nuk ka pranuar vendim zyrtar. Retkoceri kërkoi përgjegjësi publike nga kryeshefi i KMDK-së, Dardan Velija, si dhe që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të deklarohet për këtë çështje dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme.
“Si kërkohet një Prishtinë e pastër, kur pengohet investimi në pastrim dhe njëkohësisht kufizohet funksionimi i deponisë?”, tha Retkoceri.
Kryeqyteti kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për rikthimin e funksionimit të plotë të deponisë së Mirashit dhe garantimin e shërbimit të pandërprerë të grumbullimit të mbeturinave për qytetarët.