Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka njoftuar se do të merret një vendim i rëndësishëm lidhur me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri kujtoi se edhe dy ditë bëhet një muaj që nga aktgjykimi që i shpalli fajtor Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, qeveria do të vazhdojë me mjetet që i ka në dispozicion t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, tha kryeministri.
Kurti theksoi se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe interesat e vendit kërkojnë një strategji të menduar mirë, duke theksuar nevojën për analizë të plotë të aktgjykimit përpara ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.
“Për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe për vendin tonë, duhet një strategji e mirëmenduar. Fillimisht duhet një analizë e thellë pas aktgjykimit në formën e tij të plotë që të veprojmë përpara”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, suksesi në procesin e apelit kërkon organizim dhe një strategji në nivel shtetëror e kombëtar.
“Në apel na duhet suksesi, e për këtë gjë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, tha Kurti.